LitBlog

Kursi i Literaturës

Pyetje për diskutim 
1. Çfarë llojesh vetmie ndodhin në roman (për shembull, vetmi krenarie, hidhërimi, pushteti, dashurie ose vdekjeje) dhe me kë shoqërohen ato? Cilat rrethana i prodhojnë ato? Çfarë ngjashmërish dhe ndryshimesh ka midis llojeve të ndryshme të vetmisë?

2. Cilat janë qëllimet dhe efektet e elementeve fantastike dhe magjike të historisë? Si vepron fantastikja në jetën dhe personalitetet e përditshme të personazheve? Si ndërthuret magjia me elementë të nxjerrë nga historia, miti dhe politika?

3. Pse Garcia Marquez e përdor vazhdimisht formulën "Shumë vite më vonë"? Në ç'mënyra krijon kjo një vazhdimësi midis së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes? Çfarë pritjesh provokon? Si funksionon koha lineare dhe koha ciklike në roman?

4. Deri në ç’masë themelimi i Macondos, izolimi i gjatë dhe lidhjet në rritje me botën e jashtme janë një eksod nga faji dhe korrupsioni drejt një jete të re dhe pafajësie dhe, më pas, një udhëtim i kundërt nga pafajësia në dekadencë?

5. Çfarë llojesh dashurie shfaqen në roman? A i tejkalon apo i transformon ndonjë lloj dashurie rrënimet e jetës së përditshme, politikës dhe luftës, historisë dhe vetë kohës?

5. Cili është progresioni i vizitorëve dhe të sapoardhurve në Macondo, duke filluar me romët? Si ndikon çdo individ dhe grup i ri te Buendia-t, qyteti dhe historia?

6. Cila është rëndësia e shpikjeve, pajisjeve dhe mrekullive të ndryshme teknologjike të futura në Macondo gjatë viteve? A është e rëndësishme renditja në të cilën ato futen?

7. Cili është roli i Melquiadesit dhe ai i inovacioneve, eksplorimeve dhe pergamenave të tij? Cila është rëndësia e "faktit" që Melquiadesi "vërtet kishte përjetuar vdekjen, por ishte kthyer sepse nuk mund ta duronte vetminë"? Kush tjetër kthehet dhe pse?

8. Kur dhe si hyn politika në jetën e Macondos? Me çfarë pasojash afatshkurtra dhe afatgjata? A përputhen aspektet social-politike të jetës në Macondo gjatë viteve me ngjarjet dhe trendet aktuale?

9. Çfarë llojesh grash (nga Ursula dhe Pilar te Meme dhe Amaranta Ursula) dhe çfarë llojesh burrash (nga Jose Arcadio te Aureliano Babilonia) dallohen? Çfarë karakteristikash ndajnë burrat? Çfarë karakteristikash ndajnë gratë?

10. Çfarë ëndrrash, profecish dhe paralajmërimesh ndodhin në roman? Me cilët personazhe dhe ngjarje specifike shoqërohen ato dhe cili është qëllimi i tyre?

11. Kur, si dhe në çfarë formash hyn vdekja në Macondo? Me çfarë pasojash?

12. Në faqen e parë na thuhet se "Bota ishte aq e re sa shumë gjërave u mungonin emrat". Cila është rëndësia e emrave dhe e emërtimit (të njerëzve, gjërave dhe ngjarjeve) në roman?

12. Si ndikojnë gjeografia dhe topografia — malet, kënetat, lumi, deti etj. — në historinë e Macondos, jetën e qytetarëve të saj dhe në zhvillimin e romanit?

14. Cilat aspekte të dinamikës së familjes Buendia janë specifike për Macondo-n? Cilat janë pasqyruese të jetës familjare kudo dhe në çdo kohë? Si lidhen ato me përvojën dhe kuptimin tuaj të jetës familjare?

15. Si e trajton Garcia Marquez çështjen dhe incidencën e incestit dhe lidhjen e tij me dhunën duke filluar me martesën e Jose Arcadios dhe Ursulës dhe vrasjen e Prudencio Aguilar? A është i pashmangshëm incesti i gjeneratës së gjashtë të Aureliano Babilonias dhe Amaranta Ursulës?
(Pyetje të lëshuara nga botuesit.)

në krye të faqes (përmbledhje)